Mesazh i Presidentit te IPA Albania

Të nderuar miq, zonja e zotërinj 

Më 1 Janar 1950, polici anglez Artur Troope, ideoi e themeloi IPA-n. Shumë shpejt këtë lëvizje kaq domethënëse e përqafuan me dhjetra e dhjetra organizata policore në mbarë botën. 
Në vendin tonë prej vitesh miqtë evropianë e amerikanë  rekomanduan krijimin e IPA, si një urë lidhëse, kapilar miqësie e bashkëpunimi ndërmjet policëve në mbarë botën. Në mjaft kongrese botërore të IPA-s është përcjellë mesazhi që Shqipëria duhej të shpejtonte hapat dhe të renditej sa më parë në familjen e madhe të IPA-s.

Thuhet se çdo marshim sado i gjatë ka një hap të parë dhe këtë hap të  guximshëm e hodhi zyrtarisht shoku, miku dhe kolegu ynë Zoti Bilbil Memaj, që në 25.09.2017 së bashku me kolegë të tjerë   zhvilluan mbledhjen e komisionit nismëtar për krijimin e IPA - Seksioni Albania. Në zbatim të procedurave  Gjykata e Tiranës, regjistroi shoqatën IPA -Albania në regjistrin e OJF-ve. 

Në vitin 2020 ne morëm statusin "Section in foundation" dhe synojmë të marrim statusin "Kandidat" për të mbërritur në anëtarësimin me të drejta të plota. Është një rrugë e gjatë dhe kërkon përkushtim i cili nuk  na ka munguar.  Në faqen e tonë zyrtare dhe në rrjetet sociale ju do të gjeni mjaft material që lidhet me aktivitetet e shumta të kryera nga IPA- Seksion Albania madje dhe në kohë pandemie.
Në rrugën e integrimit të IPA kemi pasur përkrahjen e Ministrit të Brendshëm dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të cilët gjej rastin t'i falënderoj përzemërsisht.

Moto e shoqatës  "Servo per Amikeco"-"Shërbejmë përmes Miqësisë", ka një domethënie të madhe. Të shërbesh përmes miqësisë do të thotë të karakterizohesh nga entuziazmi, energjia pozitive, vullnetarizmi, dashuria; të jesh i ndriçuar e mëndjehapur, të zotërosh kapital social më shumë se ai financiar. Do  të thotë  që në çdo skaj të botës ku funksionon IPA  të ndiesh praninë e kolegut tënd polic  pavarësisht nga dallimet në racë, etnia,  traditë, besim fetar apo gjuhë. 

Mund të numërohen mijëra raste që policët takohen në vende të ndryshme për trajnime, specializime, shërbime të përbashkëta, si turistë apo dhe krejt rastësisht edhe menjëherë ndërmjet tyre fillon komunikimi duke kapërcyer çdo barrierë psikologjike. Jemi familjarizuar me sloganin "Mjekë pa kufij", por jemi të bindur se edhe "Policë pa kufij" tingëllon po aq bukur dhe humane sepse policët konsiderohen engjëj mbrojtës dhe për engjëjt nuk ka kufij administrativë e politikë. Privilegj të jesh anëtar i IPA.  

Të nderuar miq,
Politika afatgjatë, vizioni që shohim për "IPA-n që duam" është: "Një strehë e ngrohtë miqësie e bashkëpunimi" si organizëm që funksionon mbi bazën e një kapitali të paçmuar njerëzor duke   investuar për ne dhe brezat e së ardhmes. 
Është kohë sfidash dhe ne do të punojmë duke bashkuar kontributet e të gjithë miqve duke vlerësuar çdo përpjekje pozitive në interes të vizionit tonë.

Trendin  pozitiv e shohim jo thjesht zgjerim por si rritje cilësore të IPA- Albania,  për të marrë statusin: "Anëtar me të drejta të plota", sa më shpejt..  

Duke ju falenderuar    

Presidenti 
Skënder  DODA